Peladhi, gjysma e fshatit pa vaditje
Më shumë se gjysma e fshatit Peladhi në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë është pa vaditje. Shkak për këtë është bërë mungesa e funksionimit të kanalit vaditës i cili prej vitesh qëndron i bllokuar. Kjo vepër vaditëse ka qenë në shërbim edhe të disa fshatrave të Shupenzës por pas viteve 90-të thuajse nuk ka funksionuar fare. Tentativat e Bashkisë Bulqizë për ta rivënë në funksion kanë qenë të pasuksesshme për shkak se kanali vaditës kalon përmes banesave e një pjesë e kanë bllokuar. Avdi Krasniqi thotë se kjo problematikë ka lënë pa vaditje shumë tokë bujqësore e cila nuk është punuar nga fshatarët pasi nuk kanë ujë për të mbjellat. Nga ana tjetër Avdiu kërkon që bashkia të gjejë një zgjidhje duke ndërtuar një kanal alternativ në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi për të vaditur tokat bujqësore. Pjesa hyrëse e fshatit nga ana e Bulqizës ka vaditje, pasi kanali funksionon normalisht prej vitesh.