Partia Demokratike ka zbuluar sot emrat që do të përbëjnë Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve, një organ i ri që do të bëjë vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara në mënyrë që të futet në listat zgjedhore.
Sipas PD, “Kjo është hera e parë në Shqipëri, ku kandidatët nuk përzgjidhen nga Kryetari i Partisë, por nga personalitete, brenda dhe jashtë strukturave të Partisë”.
Bëhet fjalë për 5 anëtarë, figura të njohura të Partisë Demokratike ndër vite. I pari është ish-presidenti Bujar Nishani, në funksionin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, i pasuar nga ish-ministri dhe shkrimtari Besnik Mustafaj, ish-ministri dhe ekonomisti Genc Ruli, ish-deputeti, pedagogu dhe gazetari Mark Marku si dhe pedagogja dhe historiania Enriketa Papa.
Komisioni do të ndihmohet nga Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.