Partia Demokratike vijon përballjen e saj kundrejt ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me çështjen e tenderave sekretë.

Ashtu sikundër paralajmëroi dje sekretari i përgjegjshëm Gazment Bardhi, sot PD-ja me anë të ish-deputetit Bardh Spahia ka publikuar prova të reja, që sipas tij faktojnë se ka rënë zjarr në ministrinë e Shëndetësisë dhe për pasoja janë djegur dokumentet e tenderave sekretë.

Ai publikoi një e-mail të ministrisë së Shëndetësisë, që sipas Bardhit, e provon qartë rënien e zjarrit në katin e katër të ndërtesës, në zyrën e prokurimeve.

“Bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje Ogerta Manastirliu, gënjeu publikisht dje, duke fshehur faktin se në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente.Ajo e dinte shumë mirë se informacioni i bërë publik nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i vërtetë, por zgjodhi të mashtrojë qytetarët. Arsyet dhe përgjegjësit duhet t’i zbulojë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, që vazhdon të flerë mbi hirin e korrupsionit. Detyra jonë është të bëjmë publike provat:
• Se në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr.
• Se zjarri ka rënë në katin e Zyrës së Prokurimeve, ku ndodhen kontratat sekrete të tenderave korruptivë të denoncuar prej nesh që në datën 6 prill
• Dhe se janë djegur dokumenta, që më pas, janë shuar me ujë”, tha Spahia.

Teksa hedh akuza në drejtim të qeverisë Rama, Partia Demokratike i bën sërish thirrje SPAK-ut, që të hetojë pa humbur kohë djegien e këtyre dokumenteve

“Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit”, shtoi ai.