Vetëm rasti u bë mediatik, firma që po ndërton rrugën e Arbrit ka ndërhyrë në vendin e quajtur Shkallë të Njësisë Administrative Xibër të Bashkisë Klos ku rrezikonte traseja si pasojë e fryrjes së zallit të Murrizit.

Siç duket nga pamjet, kompania ka bërë të mundur hedhjen e gurëve të mëdhenj në zallë si dhe ka ndërtuar një pritë mbrojtëse prej dheu për ujërat e shiut të cilat mblidhen në asfalt.

Por me gjithë ndërhyrjen e bërë, specialistët thonë se nuk siguron qëndrueshmërinë e rrugës për segmentin nga ura e “Spates” deri në afërsi të tunelit numër 2, pasi zalli i Murrizit kalon ngjitur me trasenë dhe reshjet e shumta të shirave bëjnë fryrjen e tij duke dëmtuar edhe rrugën.

Ekspertët e ndërtimit të rrugëve shprehen se duhet argjinaturë më e fortë e cila të mbrojë trasenë e rrugës së Arbrit dhe kjo duhej të ishte menduar që me ndërtimin e rrugës për shkak se pritej që situata të agravonte me kalimin e kohës.

Por ky nuk është problemi i vetëm i rrugës së Arbrit në Njësinë Administrative Xibër. Thuajse në të gjithë segmentin nga tuneli i Murrizit e deri tek tuneli numër 2 ka deformim të asfaltit si pasojë e uljes së trasesë së karrexhatës.