Një ditë para takimit me Presidentin, Ilir Meta 5 partitë e vogla opozitare kanë propozuar realizimin e një Marrëveshje Politike Kushtetuese, ku kërkojnë që presidenti të ulë në një tryezë diskutimi kryeminisrin Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pwr krijimin e një qeverie tranzitore.
12 KËRKESAT E ALEATËVE JANË:

  1. Thirrja e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
  2. Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore (qeverisje kujdestare) me dakortësi politike.
  3. Reformë zgjedhore e cila ndalon finacimin e paligjshëm, dënon jo vetëm njerëzit e angazhuar në blerje dhe manipulim votash, por edhe subjektet politike që marrin pjesë në manipulimin e zgjedhjeve.
  4. Kthimi i Parlamentit në një Parlament përfaqësues dhe kushtetues, nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, nëpërmjet një sistemi zgjedhor dhe votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.
  5. Përcaktimi me një dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare, i krijimit të një Qeverie Kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj.
  6. Vlerësimi i kuadrit kushtetues të vendit, me një grup të posaçëm ekspertesh të së Drejtës Kushtetuese, vendas dhe të huaj, për të mundësuar kthimin e Republikës Parlamentare dhe funksionimin e saj, bazuar në pavarësinë dhe balancimin e pushteteve.
  7. Bashkëpunimi për një vlerësim të drejtë të Reformës në Drejtësi, funksionimi urgjent i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me një amendim të përkohshëm, për t`i bërë ato funksionale, duke zhvilluar një proçes për të garantuar integritetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre.
  8. Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve.
  9. Të bëhet testi i drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.
  10. Rishikimi i Reformës Administrative, për t`a çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.
  11. Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë.
  12. Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë.