Teksa kanë mbetur rreth 24 orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve në komisionin qëndror të zgjedhjeve, ende asnjë subjekt politik apo koalicion nuk ka zyrtarizuar emrat. Ashtu si Partia Socialiste edhe koalicioni opozitar “Për Shqipërinë madhështore”, ka lënë ditën e fundit për të vendosur përfundimisht se kush do të jenë garuesit e zgjedhjeve të 11 Majit.
Koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha pritet që të bëjë publik emrat e kandidatëve në çdo qark pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të mërkurën e 12 Marsit.
Deri tani kjo forcë politike nuk ka zyrtarizuar asnjë emër apo mënyrën se si do të renditen kandidatët në listë.
Pas zgjedhjeve primare brenda partisë që u mbajtën me 1 Mars, tashmë po diskutohet mënyra se si do të hyhet në zgjedhje pas zyrtarizimit të koalicionit ku disa vende do tju jepen aleatëve.
Jo-zyrtarisht disa nga emrat që do të jenë pjesë e garës në Qarkun Dibër janë drejtuesit politik Xhelal Mziu, ish-kryebashkiaku i Peshkopisë Ilir Krosi, kryetarja e PD Mat, Denisa Vata, intelektuali Basir Çollaku, ish deputeti Përparim Spahiu dhe ish deputeti Xhemal Gjunkshi.
Gjithsesi mbetet për tu parë zyrtarisht pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike që do të mbahet të mërkurën në orën 17:00.