Rekamë

Ndonëse jemi në mes të muajit Prill dhe sezoni i vaditjes ka ende kohë, ka nisur puna prej ditësh për të bërë gati veprën më të madhe vaditëse në Mat, kanalin e Klosit. Kjo vepër vaditëse prej 18 kilometrash, mbulon qindra hektarë bujqësore nga Klosi deri në fshatin Zenisht të Bashkisë së Matit. E për t’i paraprirë problemeve të mbartura ndër vite, Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Durrës, sektori i Matit, mbështetur nga Bashkitë Mat e Klos, vijojnë punën për pastrimin e të gjithë kanalit. Po ashtu, puna vijon edhe për riparimin e dëmtimeve që ka pësuar kjo vepër vaditëse gjatë periudhës nga vera e vitit të kaluar. Specialisti pranë Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Durrës, sektori i Matit, Basir Salaj tha se përgjithësisht gjendja e kanalit vaditës është e mirë, ndërsa do të bëhen ndërhyrje në disa pika ku ka patur shembje të mëdha. Sa i përket sifoneve, Salaj u shpreh se problemet këtë vit janë më të vogëla dhe se uji vaditës do të shkojë pranë fermerëve me 15 Maj.
Ndërkohë fermerët e luginës së Matit kanë të vetmen mundësi vaditje për të mbjellat e tyre ujin që vjen nga ky kanal.