Ka nisur prej dy ditësh zbatimi i projektit të Bashkisë Mat për ndërtimin e pengesave të shpejtësisë në rrugët e qytetit të Burrelit. Firma e cila po zbaton projektin ka nisur punën në rrugën “Kuvendi i Dukagjinit”.
Ndërtimi i këtyre pengesave për kufizimin e shpejtësisë së mjeteve po bëhet përballë shkollës 9-vjeçare “31 Korriku” dhe rreth 200 metra në drejtim të kryqëzimit të “Barhanit”.
Për të mos penguar totalisht lëvizjen e mjeteve, ndërtimi i këtyre pengesave po bëhet në dy kohë, ku fillimisht po ndërtohet në gjysmën e karrexhatës, e më pas gjysma tjetër.
Drejtuesit e punimeve kërkojnë mirëkutimin e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për problemet që do të hasen gjatë kësaj periudhe në qarkullim në rrugët ku do të punohet.
Ndërtimi i këtyre pengesave do të shërbejë jo vetëm për kufizimin e shpejtësisë, por edhe si vija të bardha për këmbësorët.
Pas ndërtimit të këtyre pengesave, firma do të nisë nga puna për vijëzimin e të gjitha rrugëve të qytetit.