Edhe pse ka ende afatë për sezonin e vaditjes në këtë vit, kanë nisur punimet për rikthimin në funksion të plotë të kanalit vaditës të Klosit.
Ndryshe nga vitet e kaluara ku një rol të madh kishte edhe komuniteti, këtë vit edhe pastrimi i kanalit po bëhet nëpërmjet bordit të Kullimit e cila ka kontraktuar një firmë.
Sipas drejtuesve të punimeve, puna ka nisur që në veprën e marrjes dhe vazhdon paralelisht në disa segmente deri në fshatin Suç.
Paralelisht me pastrimin po punohet edhe për ndërtimin e veprave të artit, të cilat janë dëmtuar gjatë stinës së vjeshtës dhe të dimrit. Grupet e punës janë përqendruar mbi qytetin e Klosit dhe në shumë segmente të tjera.
Synohet që kanali vaditës të jetë në funksion të plotë për fermerët para datës së përcaktuar për sezonin e vaditjes. Ndërkohë, burime pranë Bordit të Kullimit thanë se ndërhyrje do të ketë edhe në pjesët e këtij kanali në Bashkinë e Matiti, si në fshatin Mallunxë dhe Shoshaj.