Teksa data 15 Nëntor është afati ligjor për të siguruar ngrohjen në institucionet publike, kryesisht në shkolla, ende në disa shkolla të Bashkisë Bulqizë nuk është siguruar lënda djegëse. Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu thotë se për të gjitha shkollat që kanë sistem ngrohje me kaldajë është siguruar lënda pelet, por problem mbeten ato shkolla të cilat ngrohen me dru. Kjo për shkak se tenderi i druve të zjarrit nga ana e bashkisë është shtyrë dy herë për të nxjerrë fituesin. Kjo ka zgjatur në kohë dhe është vështirë që drutë të sigurohen deri me datë 15 Nëntor.
Mbi 80% e shkollave në Bashkinë Bulqizë kanë ngrohjen me dru zjarri, ç’ka bën që mosfurnizmi i tyre të krijojë probleme në procesin e sigurimit të ngrohjes në këto institucione arsimore.