Ekipi ynë i futbollit shpreson që do ta nisë me këmbën e mbarë kampionatin e ri të kategorisë së parë i cili starton nesër. Matjanët e kanë sfidën startuese në transfertë në Ballsh, kundër Bylisit vendës. Por për trajnerin Dorian Bubeqi, skuadra që ai drejton është optimiste për të bërë një nisje gare dinjitoze. Duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin i cili ka një histori të lavdishme në futboll, Bubeqi u shpreh djemtë do të japin maksimumin në fushën e gjelbërt, për tu kthyer në Burrel me rezultat pozitiv. Sipas tij, çdo ndeshje do të vlerësohet në mënyrë të veçantë dhe çdo kundërshtar si të ishte një finale. Fakti që kampionati është me 12 skuadra pjesmarrëse, gara është bërë shumë më e vështirë se sezonet e kaluara. Skuadra ka udhëtuar që të premten drejt Ballshit për të qenë në formën më të mirë të mundshme në përballjen e së shtunës në orën 16:00 kundër bylisit.
Përballjet e tjera të ditës së shtunë janë Vora – Besa, Luz i Vogël 2008 – Flamurtari dhe Tomori – Korabi, ndërsa të dielën përballen Kastrioti – Elbasani dhe Lushnja – Apolonia.