Pas afro 2 muaj mbylljeje nesër do të rihapet tregu i Klosit që shërben kryesisht për të diela. Për shkak të festës së Shëngjergjit e cila festohet masivisht në këtë zonë, tregu do të funksionojë të Martën një ditë para feste. Të kontaktuar nga Mat Televizion, Drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, thanë se rihapja e tregut do të bëhet në bazë të protokollit të sigurisë. Në këtë protokoll, përfshihet distanca e mjaftueshme mes tregtarëve që do të shesin fruta-perime. Po ashtu, të gjithë tregtarët duhet të jenë patjetër të pajisur me maska mbrojtëse dhe doreza. Një tjetër kriter për rihapjen e tregut është edhe ndalimi i grumbullimeve brenda tij, pjesë e cila duhet të monitorohet nga Policia Bashkiake dhe taskforca e ngritur nga Prefekti i Qarkut Dibër.. Ndërkohë mësohet se tregu i është nënshtruar dezinfektimit këtë të Hënë për të qenë i pastër dhe i sigurtë në rinisjen e aktivitetit të tij për qytetarët që e frekuentojnë atë.