Ndërsa të gjithë sytë e banorëve të Qarkut Dibër, por jo vetëm, janë drejtuar nga hapja e tunelit të Murrizit, aktualisht ata janë të detyruar të përdorin bypassin teksa lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas. Ndonëse hapja e tunelit për qarkullimin e automjeteve ishte parashikuar të bëhej në fund të vitit të kaluar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mjeteve do të duhet që edhe disa muaj të qarkullojnë nga bypassi i Murrizit, por ky i fundit është në gjendje skandaloze. Drejtuesit e mjeteve thonë se gjendja e këtij aksi është tejet problematike dhe e rrezikshme. Ata kërkojnë që rruga të mirëmbahet dhe të ndërhyhet sa më parë për shkak edhe se nuk dihet përfundimisht se kur do të hapet për qarkullim tuneli i Murrizit. Deformimet e trasesë, çarjet e saj, gropat në të etj., janë disa nga problematikat me të cilat përballet çdo drejtues automjeti që qarkullon në këtë aks rrugor.
Situata bëhet më e vështirë gjatë ditëve me shi apo dëborë, ku automjetet rrezikojnë të dalin nga rruga, për shkak të gjendjes së keqe dhe hapsirës së ngushtë për të qarkulluar.