Rekamë

Familjarët kanë lajmëruar sot me dhimbje humbjen nga jeta të Besim Zekthit, mjeshtrit që ‘pushtoi botën’ me vallen popullore shqiptare, solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Lajmin e ka bërë të ditur mbesa e tij në rrjetin social, FB, ku menjëherë kanë vërshuar ngushëllimet dhe dedikimet. Besim Zekthi u shqua veçanërisht në vallet “Festë ka sot Shqipëria”, “Vallja e Shqipeve”.

Ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha vendit tonë gjerdanin e artë në Festivalin e Dizhonit në Francë në vitet ’70.

Folku shqiptar dhe etnosi janë një ndër vlerat më të larta të identitetit tonë, pjesë e traditës që na përfaqëson, si burim i trashëgimisë shpirtërore të kombit. Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë.

Nga fotot e shfaqjeve kryesore të tij që ende nuk janë mbuluar nga pluhuri i kohës, shohim një burrë shtatlartë, me sy të gjallë, vetësiguri, që duket se i jep jetë valles. Ka një hijeshi dhe rrezatim te çdo artist dhe kjo përfaqësohet më së miri te ky mjeshtër i valles. “Vallja e shqipes”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” etj., e kanë bërë atë kaq të famshëm, popullor dhe të dashur për gjithë shqiptarët.