Misteri në Igumenicë: 25-vjeçarja gjendet e pajetë, partneri jep dëshmi kontradiktore

Misteri në Igumenicë: 25-vjeçarja gjendet e pajetë, partneri jep dëshmi kontradiktore

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Igumenicë të Greqisë, ku një 25-vjeçare është gjetur e pajetë. Dyshimet janë ngritur rreth rrethanave të vdekjes së saj, pasi partneri, një 27-vjeçar, ka dhënë dëshmi kontradiktore.

Alarmi është dhënë nga vetë 27-vjeçari, i cili ka telefonuar policinë duke deklaruar se ai dhe partnerja e tij kishin qenë viktima të një sulmi. Gjatë telefonatës, ai njoftoi se 25-vjeçarja kishte ndërruar jetë. Kur policët mbërritën në vendngjarje, gjetën të renë pa shenja jete, me plagë në trup, të cilat dyshohet se mund të jenë shkaktuar nga një thikë.

I riu u gjet pak më larg, në një zonë me bimësi të dendur. Ai pretendoi gjithashtu se ishte sulmuar dhe goditur. Megjithatë, gjatë kontrollit fillestar, policia nuk konstatoi plagë të jashtme apo shenja të dukshme që të tregonin se ai ishte dhunuar fizikisht.

27-vjeçari u transportua fillimisht për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Policia po heton intensivisht dinamikën e ngjarjes dhe ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të asaj që ka ndodhur, ndërsa misteri rreth vdekjes së 25-vjeçares thellohet.