Komiteti i Ekspertëve rekomandon që nga data 1 Nëntor të nisë aplikimi i dozës së tretë të vaksinës te personat mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar 6 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.
Komiteti nuk specifikoi llojin e vaksinave, duke lënë të kuptohet se do të rekomandohet marrja e dozës së tretë, pavarësisht nëse dy dozat e para kanë qenë Pfizer, Sinovax, Sputnik apo Astra Zeneca.
Po ashtu nga 1 Nëntori, vaksinimi do të jetë i hapur dhe për personat mbi 16 vjeç si dhe fëmijët nga moshat 12-15 vjeç, të cilët kanë sëmindje të tjera. Vaksinimi i të gjithë personave në moshë jomadhore, do të kryhet me lejën e prindërve të tyre dhe me rekomandim nga mjeku i familjes.
“Komiteti i Ekspertëve mendon se nuk ka nevojë për shtrëngimin e mëtejshëm të masave. Komiteti i Vaksinimit rekomandon që prioritet të jetë mbulimi me dozën e parë dhe të dytë opër personat që nuk janë vaksinuar. Personat mbi 60 vjeç duhet të bëjnë dozën e tretë të vaksinës, jo më herët se 6 muaj nga doza e dytë.
Fëmijët mbi 16 vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar, me lejen e prindërve, dhe me rekomandimin e mjekëve. Do të ftojmë për vaksinim dhe fëmijët nga 12-15 vjeç, që kanë sëmundje imunitare, në bazë të rekomandimeve dhe të mjekëve të familjes”, u shpreh mes të tjerave Rakacolli.