Një grup kriminal që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike u shkatërrua në Mat nga policia këtë të premte. 13 persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim. Detajet e operacionit u bënë të ditura nga vetë Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Skënder Hita dhe Prokurori i Matit, Abaz Muça në një dalje publike për mediat.
Operacioni i koduar “Kepi i Vozajve” u zhvillua nga policia e Dibrës, Tiranës dhe ajo e Durrësit nën drejtimin e prokurorisë së Matit. Hetimet për rastin nisën në vitin 2019 dhe u ndoqën metoda speciale nga ana e agjentëve të antidrogës. Në total policia asgjësoi 532 bimë narkotike ndërsa konstatoi 3633 të tjera në proces tharje. Gjithashtu u sekuestrua një automatik, një armë gjahu teke pa leje dhe municion luftarak si dhe 13 telefona celular që përdoreshin nga pjestarët e grupit kriminal. Të ndaluarit akuzohen për kultivim dhe trafikim të kabanisit si dhe armëmbajtje pa leje.