Është mbyllur këtë të hënë numërimi i të gjitha votave të diasporës për Qarkun Dibër. Nga numërimi i votave të partive dhe koalicioneve zgjedhore rezulton se Partia Socialiste ka marrë 4,627 vota, Partia Demokratike 2,291 vota dhe në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 371 vota. Partia Socialiste rezulton fituese edhe tek votat e diasporës me një diferencë prej 2,336 vota.
Ndërkohë, ka përfunduar edhe numërimi i votave preferenciale. Kandidati i pjesës së hapur të listës së Partisë Socialiste, Agron Malaj është më i votuari me 2,121 vota, ndjekur nga Murat Dani me 1,118 vota dhe Danjel Gjura me 937 vota.
Në kampin blu, më i votuar nga diaspora në pjesën e listës së hapur është Përparim Spahiu me 734 vota, ndjekur nga Basir Çollaku me 650 vota dhe Xhemal Gjunkshi me 429 vota.
Ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, i cili do të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm, ka siguruar në total 14,737 vota preferenciale, ndjekur nga Murat Dani me 8,809 vota dhe Danjel Gjura me 8,123 vota.
Në koalicionin e Partisë Demokratike Përparim Spahiu me 6,239 vota, ndjekur nga Xhemal Gjunkshi me 6,122 vota dhe Basir Çollaku me 5,249 vota preferenciale.
Në ditët në vijim pritet që KQZ të certifikojë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit.