Është mbyllur të premten procesi i aplikimeve përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025. Të gjithë fermerët patën mundësi që nga data 14 Prill deri me 30 Maj të aplikonin nëpërmjet portalit e-albania për mbështetje financiare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në disa sektor të bujqësisë.
Në dispozicion të fermerëve për subvencione ishin 8 masa që do të financohen, ku përfshihet mbështetja për tufën bazë të matrikulluar/ lopë/ dele dhe dhi; mbarështimi i bletarisë; mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera; mbështetje për kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore; mbështetje për fermat organike; si dhe mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.
Fermerët e Matit nisën aplikimin që në ditën e parë të hapjes së thirrjes në disa sektor si në blektori, gjedhë, skemën e naftës, bletari etj.
Sakaq, ende nuk dihet se sa është numri i fermerëve që kanë aplikuar, pasi aplikimet janë bërë në portal dhe do të jetë AZHBR e cila do të dërgojë listën e fermerëve pranë Zyrave të Ekstensionit Bujqësor në të gjitha bashkitë dhe më pas do të nisë procesi tjetër i plotësimit të dokumentacionit.