Pas lajmit të transmetuar pak ditë më parë në “Mat Televizion”, në lidhje me gjendjen e degraduar të rrugës nacionale Skuraj – Burrel, ka nisur mbushja e gropave me asfalt në të gjithë aksin. Firma që e ka për mirëmbajtje këtë rrugë po bën mbushjen e të gjitha gropave që nga Skurajt e deri në hyrje të qytetit të Burrelit. Lidhur me këtë zhvillim, drejtuesit e mjeteve thonë se kompania në fjalë nuk duhet të presë sa gjendja e degraduar e rrugës të bëhet mediatike, por ta mirëmbajë ashtu siç duhet dhe siç e ka në kontratë. Segmenti më i degraduar mbetet ai nga Ura e e Ulzës deri në qytetin e Burrelit, ku veç gropave, ka edhe deformim të karrexhatës si pasojë e uljes së tokës. Ndonëse ka rënë fluksi i automjeteve për shkak të rrugës së Arbrit, ky segment vijon të jetë i frekuentuar për shumë banorë të qarkut Dibër që udhëtojnë në drejtim të veriut të vendit apo qytetit të Durrësit.
Rruga nacionale Skuraj – Burrel prej vitesh vijon të jetë në gjendje të rënduar, edhe pse çdo vit lëvrohen qindra milionë lekë për mirëmbajtje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.