Agjencia Kombëtare e Mbrotjes Civile ka nisur trajnimet në të gjithë vendin në kuadër të stërvitjes funksionale “Përgatitja dimërore 2024”. Trajnimi i radhës është zhvilluar në qytetin e Peshkopisë ku morën pjesë drejtues e përfaqësues të zyrave lokale të mbrotjes civile nga bashkitë e qarqeve Dibër e Kukës, por edhe nga shteti fqinj i Kosovës. Drejtori i Drejtoria e Edukimit, Trajnimit dhe Teknologjisë së Informacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Jonian Harka tha se kjo stërvitje ka të bëjë me përgatitjen për përballimin e situatave dimërore. Harka tha se tjetër qëllim i këtij trajnimi është edhe ndërlidhja e urave të bashkëpunimit mes bashkive ndërkufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Trajnimi do të zhvendoset edhe në qarqe të tjera të vendit, kryesisht në zonat ku gjatë stinës së dimrit ka situata emergjente.