Mblidhet Shtabi i Mbrojtjes Civile për Bashkinë Mat
Për t’i paraprirë parandalimit të zjarreve dhe ndërhyrjes në kohë në raste të tilla, Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni thirri në një takim Shtabin lokal të Mbrojtjes Civile që përbëhet nga përfaqësues të drejtorive në varësi të Bashkisë Mat, Administratorët e Njësive Administrative, nënprefekti i Matit dhe përfaqësues të forcave të armatosura. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Bojni tha se në këtë fazë është shumë e rëndësishme parandalimi i zjarreve, por edhe nëse ato shkaktohen, duhet ndërhyrë menjëherë për të mos lejuar që dëmet të jenë të mëdha. Drejtori i Mbrojtes Civile pranë Bashkisë Mat, Nezir Sinani bëri një rezyme të situatës së zjarreve të vitit të kaluar. Ndërkohë, komandanti i Regjimentit të Këmbësorisë Burrel, Eduart Përlesha tha se mbështetja nga forcat e armatosura do të jetë e pakursyer. Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha në fjalën e tij tha se strukturat duhet të vazhdojnë të jenë vigjilente për të mos lejuar që zjarret të shkaktojnë dëme në ekosistemet tona.