Për shkak të situatës së krijuar nga virusi Covid-19 dhe në zbatim të aktit normativ të nxjerrë nga qeveria, Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të premte për herë të parë në historinë e funksionimit të tij, mbledhjen e radhës në mënyrë elektronike. Zhvillimi i mbledhjes u bazuar në aktin normativ numër 3 datw 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave, neni 5 që thotë: “Marrja e vendimeve nga ana e organeve kolegjiale realizohet edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik”, si dhe bazuar në rregulloren e Brendshme të Funksionimit të Këshillit të Bashkisë Mat, neni 54 e 59 për mbledhjet e jashtëzakonshme dhe regjistrimi elektronik i mbledhjeve, si dhe neni 81 pika 1 për votimin elektronik.
Rregullorja e brendshme e Keshillit Bashkiak si dhe përfshirja e mbledhjeve elektronike në rregulloren e këshillit bashkiak është iniciuar nga projekti zviceran “Bashki të forta” dhe shpwrndarw nga Agjensia pwr Mbwshtetjen e Vetwqeverisjes Vendore.
Këshilli më pas kaloi në miratimin e pikave një e nga një. Këshilltarët votuan unanimisht pikën e parë mbi miratimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike për muajin Shkurt 2020. Më pas këshilli kaloi në pikën e dytë për miratimin e projekt-vendimit për përdorim të fondit të emergjencës civile për parandalimin e virusit Covid-19. Për këtë pikë relatoi kryetari i komisionit të ekonomi financës, Halit Palamani.
Pasi u njohën me detaje për këtë ndryshim në fondin e emergjencës, këshilltarët që morën fjalën vlerësuan angazhimin e Bashkisë Mat deri tani në luftën ndaj Covid-19 si dhe dhanë mbështetjen e tyre maksimale me votë, për këtë pikë të rendit të ditës.
Pika e tretë e rendit të ditës kishte të bënte me një ndryshim në buxhetin e vitit 2020, për blerje pjesë këmbimi për mjetet e ndërmarrjes së rrugëve, në mënyrë që puna të mos ndalet në këtë sektor. edhe këtë pikë, 14 këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje online realizuar nëpërmjet skajpit, votuan pro. Po ashtu pika e katërt për dhënie ndihme financiare u miratua unanimisht.