Këshilli i Bashkisë së Matit ka zhvilluar mbledhjen e parë të tij për këtë vit kalendarik. Këshilltarët patën në rendin e ditës plot 15 pika, 13 prej të cilave gjetën diskutim e miratim. Para se të miratohej në parim, këshilli vendosi që të heqë nga rendi i ditës pikën 9, Kërkesë për blerje të një sipërfaqeje trualli tek Qenda Kulturore e Fëmijëve Mat. Më pas këshilli diskutoi pikë për pikë rendin e ditës. kështu këshilltarët miratuan me të gjitha votat e pranishme pikat, Zëvëndesimin e vakancës së krijuar në Këshill, ku në vend të ish këshilltarit Bledar Hysa, mandatin e mori Agim Klosi, miratimin e Projekt-Vendimit për kriteret e familjeve që do të trajtohen në fondin 6%, miratimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike, muaji Dhjetor 2020, miratimin e Projekt-Vendimit për shtesë buxheti nga fondet e trashëguara të vitit 2020 për vitin 2021, Raporti i monitorimit 12-mujor të vitit 2020 dhe miratimin e Projekt-Vendimit për heqjen nga inventari të ndërtesës Ish-Poligoni i Qitjes me numër pasurie 7/59 zonë kadastrale 1326. Pas diskutimeve të nevojshme, këshilltarët e pranishëm vendosën të shtyjnë për në mbledhjen e radhës pikat 7 dhe 8, projektvendimin për shitjen e pronës ish lavanderia në lagjen “Drita” dhe projekt-vendimin për shitjen e trojeve e pronave të Bashkisë Mat sipas kërkesave të VKB Nr.62.
Po ashtu, këshilltarët miratuan të gjitha pikat pasardhëse si Projekt-Vendimin për dhënien me qera të një sipërfaqe fondi pyjor/kullosor shoqërisë “Albtelecom Albania” sh.a objekt i ndërtuar antenë, Projekt-Vendimin për dhënien në përdorim të siperfaqeve pyjore/kullosore brenda territorit të Bashkisë Mat për vitin 2021, Projekt-Vendimin për rishqyrtimin e bursave për nxënësit që janë në konvikt,viti shkollor 2020-2021, Projekt-Vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2020-2021, Miratimin e një ndryshimi në Rregulloren e Përgjithshme të funksionimit të Këshillit dhe Miratimin e Rregullores së Strukturave Komunitare dhe ndërveprimi me Këshillin Bashkiak.