Këshilli i Bashkisë së Matit u mblodh këtë të mërkurë në një mbledhje maratonë me 16 pika në rendin e ditës. Mbledhja e nisur në orën 10:00 përfundoi pas tre orësh për shkak të numrit të madh të pikave në rendin e ditës. Ndërkohë mbledhja nisi me heqjen e mandatit të Këshilltarit Bledar Hysa i cili për shkak të fillimit të punës në administratën e Bashkisë bie në konflikt interesi. Zëvendësimi i vakancës së krijuar pritet të bëhet në mbledhjet e ardhshme. Më pas këshilli miratoi unanimisht fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Maj. Në pikën e radvhës, këshilltarët diskutuan dhe miratuan një ndryshim në buxhetin e vitit 2020.

Drejtuesit e zyrës së financës njohën këshillin me këto lëvizje financiare, të cilat sipas tyre janë teperica në disa zëra të cilat nuk janë shpenzuar. Një tjetër pikë në rendin e ditës ishte edhe ajo për ndryshime në Paketën Fiskale të vitit 2020. Në këtë pikë u përgjysmuan taksat për shitësit në tregjet publike. Edhe kjo pikë kaloi me votat e të gjithë anatërëve të pranishëm. Në pikën e pestë të rendit të ditës, Këshilli diskutoi dhe miratoi propozimin e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pyjeve për shtimin e 30 punonjësve me kontratë dhe kohë të pjesshme për menaxhimin e ujit vaditës gjatë sezonit veror si dhe 1 ekonomisti e një shoferi. Në relacionin shoqërues të këtij projekt-vendimi thuhet se në pjesën më të madhe të këtyre punonjësve burimet financiare do të gjenerohen nga vetë ata, duke mbledhur pagesën e ujit vaditës.

Në pikën e gjashtë këshilltarët diskutuan për dhënie në përdorim të tubacioneve nëntokësore për shtrirje të linjave të telekomunikacionit disa subjekteve. Kjo pikë pasi mori shumë diskutime nga këshilltarët u miratua me 15 vota pro. Disa nga pikat e radhës në rendin e ditës ishin për dhënie ndihme financiare disa familjeve të dëmtuara nga zjarri. Këshilli miratoi më pas edhe projekt-vendimet për sistemin e pikëzimit për programin e dhënies së subvencionit të qerasë për strehim social si dhe projekt-vendimin për për dhënien e statusit të pastrehë të 25 familjeve që banojnë tek ish Hoteli i Uzinës. Këshilli miratoi edhe shitjen e pasurisë me numër 148/ND pronë e Bashkisë Mat. në pikën e 13 këshilltarët u ndalën në kërkesën e bërë nga subjektet tregtare në rrugën “Kuvendi Dukagjinit” për sistemimin e unifikuar të hapsirave publike. Një tjetër pikë ishte edhe Njohja dhe ngritja e ekipit të volejbollit në Bashkinë Mat, e cila mori votat e anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje.

Ndërkohë në fund të mbledhjes, këshilli diskutoi dhe miratoi propozimin e bërë për vendosjen e emrit “Shefqet Doda” të Pallatit të Kulturës Burrel. Po ashtu, u miratua dhënia e titullit “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat, për ish futbollistin e mirënjohur matjan Dali Farruku. Titullin qytetar nderi e morën edhe Gëzim Marku, Gjetë Kol Gjinaj, Ismail Ibrahimi, Llesh Çakalli dhe Mark Gjinaj, të cilët humbën jetën 35 vite më parë teksa ranë me automjet në vendin e quajtur Ura e Karicës, ish infermieres Sofie Langa pas vdekjes, ushtarakut Fatmir Karaj. Në fund këshilli diskutoi edhe disa kërkesa të bëra nga qytetarët.