Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi sot në Kuvend se me ardhjen e dozave të vaksinave nga “AstraZeneca”, do të nisë vaksinimi i mësuesve.

Për sa i përket qarkullimit të varianteve të reja të Covid në vend, ministrja theksoi se ka dyshime të forta, por ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

“Prezenca e varianteve të reja kushtëzon dhe masat e pandemisë. Ende nuk është verifikuar prezenca, por ne kemi dyshime se variantet e reja qarkullojnë dhe shpejtësia e përhapjes e bën të vështirë edhe kontrollin e pandemisë nëse nuk shoqërohet me bashkëpunimin e çdo qytetari.

Vaksinimi i popullatës është objektivi ynë i përbashkët. Po vaksinojmë çdo ditë dhe me ritëm. Sot kemi më shumë jetë të mbrojtura të mjekëve në spitale ndërkaq që vaksinimi i kombinuar për moshat +80 vjeç po vijon.

Sot jemi në pritje të sasisë së radhës të kontratës së Pfizer, ku do të vijnë 15.210 vaksina. Do të vijojë vaksinimi dhe presim nga instrumenti i Covax që të mbërrijnë 14,440 vaksina të AstraZeneca, me të cilat do të fillojmë kalendarin e vaksinimit duke pasur prioritet mësuesit, në mënyrë që të kemi ecuri të mirë të edukimit të fëmijëve dhe mbrojtjes së mësuesve”, tha ministrja.