Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Ogerta Manastirliu, e ka akuzuar kreun e opozitës për papërgjegjshmëri, pasi në kushtet kur vendi duhet të hapet me kujdes nga prania e coronavirusit ka organizuar takime masive me mbështetësit e tij.
“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh!
Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!” shkruan zonja Manastirliu në rrjete sociale.
“Zoti Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!” shprehet ministrja.
Zonja Manastirliu u bën “… thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”.