Lugina e Shkopetit, një nga më të veçantat në vendin tonë, ka tërhequr shumë turistë gjatë këtij sezoni veror. Për shkak të bukurisë së rrallë të kësaj lugine, numri i vizitorëve apo turistëve ka qenë i shumtë. Kjo është Birget, një turiste gjermane e cila ka zgjedhur të kalojë pikërisht nga lugina e Shkopetit e ashtu si të gjithë të tjerët, nuk ka rezistuar pa u ndaluar për të shijuar bukuritë e zonës. Birget thotë se i vetmi problem këtu është ndotja e shkaktuar nga mbeturinat e hedhura pa kriter.

“Unë vij nga Gjermani dhe jam në një udhëtim me biçikletë nga atje. E kam nisur udhëtimin 6 javë më parë. Kam ecur përgjatë Gjermanisë, Çekisë, Austrisë, Italisë, Sllovenisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi etj. Herën e parë në Shqipëri kam qenë me bashkëshortin tim para dy vitesh dhe kisha dëshirë të vija prap sepse më la shumë mbresa dhe doja të takoja njerëzit sërish këtu. Jam në një udhëtim një vjeçar. Mbeturinat janë problem në të gjithë ballkanin dhe shoku im që iku dje ishte tepër i shokuar nga mbeturinat. Por nuk është vetëm problemi juaj. Ky problem është edhe në Malin e Zi, Bosnje etj. Të paktën ato e pastrojnë bregdetin ndërsa në qytete situata është e ngjashme. Nuk e kuptoj se si njerzëit thjeshtë i hedhin mbeturinat në këtë mënyrë. Unë jam mësuese dhe gjithmonë ju mësoj nxënësve që të jenë të kujdesshëm me mbeturinat. Unë mendoj që keni problem shumë të madh me mbeturinat, ju duhet një sistem për menaxhimin dhe riciklimin e mbeturinave. Fakti që sa herë shkon në dyqan ju japin qese plastike, kjo jua shton problemin. Duhet patjeter të shikohet problemi dhe të zgjidhet sepse të vjen keq të shikosh gjithë këtë pamje të bukur por  të prishet nga mbeturinat”.

Turistja gjermane foli edhe për imazhin e Shqipërisë në vendin e saj apo në vende të tjera. Birget tha se ndryshe nga përceptimi jashtë, në Shqipëri ndjehesh shumë e sigurtë.

“Për sa i përket sigurisë këtu, ka të bëjë me çfarë thotë media për ju. Gjithashtu janë emigrante nga ballkani të cilët disa nuk sillen siç duhet dhe gjermanët kanë frikë se mos grabiten. Por unë ndjehem e sigurtë  dhe shoh që gjërat do të ndryshojnë meqë shqipëria tani është në trend zhvillimi”.

Birget e vazhdoi udhëtimin e saj me biçikletë në drejtim të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet rrugës nacionale Skuraj – Burrel – Dibër.