Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2019 janë larguar nga vendi rreth 44 mijë persona, duke shënuar kështu nivelin më të lartë që nga 2014-a.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar deputetja Dhurata Çupi, e cila shprehet se Rama po zbras vendin dhe se duhet të largohet!
Statusi i Çupit:
Shqipëria drejt zbrasjes, qeveria bën show teatral me suksese imagjinare.
Ikin më shumë kthehen më pak, në 2019-n emigracioni arrin nivelin më të lartë të dekadës së fundit. Vetë institucionet zyrtare të Shqipërisë pranojnë largimin masiv të shqiptarëve. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm gjatë vitit 2019 janë larguar nga vendi rreth 44 mijë persona, duke shënuar kështu nivelin më të lartë që nga 2014-a , duke vrarë shpresën për të jetuar normalisht në vendin e tyre.
Kjo qeveri po i largon dëshpërimisht shqiptarët nga vendi, dhe po i detyron ata të mos e kthejnë më kokën pas nga vendlindja. Me mijëra ikin e shumë pak kthehen. Sipas të dhënave të INSTAT , janë kthyer 20.7 mijë imigrantë, që është niveli më i ulët që nga viti 2010. Kjo qeveri premtimin për 300 mijë vende pune po e mban , por për ti punësuar shqiptarët larg vendit dhe duke i detyruar ata që të marrin arratinë. Edhe ata që mendohet se kishin mundësi jetese normale përmes gjenerimit të biznesit të vogël, në mënyrë drastike me mijëra prej tyre po ulin qepenat.
Që prej vitit 2016 konstatohet një rritje e tendencës për të ikur nga vendi, duke rikthyer një valë të dytë emigracioni në vend, ndonëse në nivele më të ulëta në raport e periudhën 1990-2000.
Është koha që të largohet Edi Rama si shkaktari i kësaj braktisje dhe jo të largohen shqiptarët nga vendi i tyre.