Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Vladimir Gjutën, i arrestuar pak ditë më parë pranë selisë së PS-së me një armë dhe 120 mijë euro në çantë.
Gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’, ndërsa pozitën e tij e ka rënduar dhe gjetje e shumës së madhe të parave që mbante me vete.
Avokati i tij Naim Gjuta është shprehur për gazetarët se armën e kishte pasi i duhej për t’u mbrojtur dhe për shkak se kishte një vlerë të madhe eurosh me vete.
“Ka mbrojtur pasurinë e tij, gjykata vendosi ‘arrest me burg’ dhe për këtë arsye”, u shpreh avokati Gjuta.
Gjuta u ndalua 3 ditë më parë, ndërsa po e shijonte lirinë prej 1 jave pas arrestimit të mëparshëm për rrahjen e kushëririt të tij.
Ai u kap nga forcat e gardës ndërsa po kalonte pranë selisë së PS-së ku ndodhej dhe kryeministri Rama, ndërsa në çantën që kishte me vete iu gjet një pistoletë dhe 120 mijë euro, të cilat sipas Gjutës do ti thyente tek pika e këmbimit valutor që ndodhet pranë selisë rozë.