Disa nga lagjet e fshatit Rripë në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë Klos janë pa rrugë automobilistike funksionale. Bëhet fjalë për lagjet “Barruku” e “Alla”. Në këto dy lagje nuk mund të shkosh me automjet deri tek banesat pasi mungon infrastruktura. Shkaqet kanë qenë të ndryshme që nga ajo e pengesës nga vetë banorët e deri tek mungesa e ndërhyrjes së institucioneve vendore për hapjen dhe shtrimin e këtyre rrugëve. Rruga që vjen nga shkolla e Rripës në drejtim të këtyre dy lagjeve përfundon pa shkuar tek banesat. Jashtë kameras banorët shprehen se hapja e rrugës ka qenë një kërkesë e vazhdueshme ndaj pushtetit vendor në këto 30 vite demokraci, por asnjë nga të zgjedhurit vendor nuk e ka realizuar. Të gjendur në këto kushte, ata shprehen se me shumë mundësi do të bojkotojnë zgjedhjet lokale të 14 Majit.  Shirat e ditëve të fundit kanë shtuar problemet në rrugët rurale të paasfaltuara, duke krijuar baltë e gropa që pengojnë qarkullimin normal të automjeteve.