54 mijë e 700 euro janë sekuestruar ditën e sotme nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se janë siguruar në mënyrë të jashtëligjshme. përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Leshnjes, njoftoi se ditën e sotme ka ndaluar për kontroll një automjet të llojit “Audi”.

Pas kontrollit, në mjet janë gjetur paratë, që janë sekuestruar. Gjithashtu është sekuestruar edhe makina. Në pranga është vënë drejtuesi i mjetit, 28-vjeçari me inicialet Z.Gj., banues në Laç.

Ai akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Njoftimi i policisë Lushnjë

Kontrolle të shtuara nga Policia në akset rrugore me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale. Sekuestrohen 54.700 euro dhe 1 automjet, të dyshuara të përfituara nga aktivitet i kundërligjshëm. Procedohet penalisht poseduesi i tyre për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në kuadër të masave të marra për mbajtjen nën kontroll të situatës së rendit në qarkun e Fierit, janë shtuar kontrollet në akset rrugore si edhe në vendet që frekuentohen nga persona me precedent kriminal. Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, u ndalua mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin Z. Gj. Gjatë kontrollit, në automjetin e këtij shtetasi u gjetën 54.700 euro të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktivitet i kundërligjshëm. Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, proceduan penalisht shtetasin: Z. Gj., 28 vjeç, banues në Laç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove dhe automjeti me të cilën udhëtonte ky shtetas. Vijon puna për dokumentimin ligjor në lidhje me burimin e të ardhurave të këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”