Një aksident i rëndë u shënua rreth orës 14:00 të kësaj të premteje në aksin rrugor Ura e Çerenecit – Maqellarë në fshatin Gjoricë. Një mjet i policisë rrugore u përplas i cili po udhëtonte drejt Maqellarës me një tjetër mjet që po lëvizte në drejtim të Bulqizës.
Përplasja e tyre ka qenë e fuqishme duke bërë që efektivi Selami Lusha të marrë plagë të rënda dhe të dërgohet për mjekim në spitalin Rajonal të Dibrës, e më pas me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Po ashtu i plagosur mbeti edhe drejtuesi i mjetit tip benz, Zenel Murra. Ai mori ndihmën e parë në Qendrën Shëndetësore të Shupenzës.
Siç duket nga pamjet, përplasja ka qenë shumë e fortë pasi të dy mjetet janë dëmtuar shumë në pjesën e parme. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vërteta të këtij aksidenti.
Ndërkohë, aksi rrugor Ura e Çerenecit – Maqellarë është pjesë e rrugës së Arbrit. Megjithëse ky aks ende nuk është pajisur me elementet e sigurisë, apo sinjalitikën, automjetet lëvizin me shpejtësi të lartë në të.