Rrugët nacionale në Qarkun Dibër, për të cilat Autoriteti Rrugor Shqiptar jep qindra million lekë për mirëmbajtje çdo vit, vijojnë të jenë në gjendje të degraduar.
Mjafton të udhëtosh në drejtim të Bulqizës nga ura e Fshatit në Kloskatund e Qaf Buall për të kuptuar se milionat e lekëve që lëvrohen për kompaninë mirëmbajtëse, nuk dihet se ku kanë shkuar.
Rruga është degdisur si mos më keq dhe këtë e tregon prania e madhe e gropave që gjenden kryesisht në segmentin e fshatit Kloskatund. Është aluduar vazhdimisht që shkak për dëmtimin e kësaj rruge janë mjetet e tonazhit të rëndë, por në të vërtetë, këto mjete kalojnë edhe në aksin nga Klosi në Burrel dhe që prej rikonstruksionit të kësaj rruge në vitin 2018 nuk është shfaqur asnjë gropë apo të jetë dëmtuar rruga në këtë mënyrë.
Ndonëse kjo rrugë është tashmë dytësore dhe përdoret nga automjetet e tonazhit të rëndë dhe banorët e fshatrave Kloskatund e Shëngjun, fakti që është pjesë e kontratës B të rrugëve të Rajonit Qëndror dhe Verilindor, shteti shqiptar e më saktë taksat e shqiptarëve vijojnë të shpenzohen për mirëmbajtje.