Kryeministri Edi Rama pritet që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Romë. Rama është nisur ditën e djeshme drejt Italisë ndërsa sot pritet të takohet me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte.
Në orën 13:00 do të bëhet pritja zyrtare, më pas do të bëhet takimi kokë më kokë me kryeministrin Conte.
Pas takimit Rama-Conte do të ketë një drekë pune me delegacionet përkatëse, si dhe një konferencë të përbashkët.
Vizita e Kryeministri Edi Rama në Itali vjen në një kohë kur Këshilli Evropian vendosi të mos hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Italia ishte një nga mbështetëset më të fuqishme të Shqipërisë dhe Maqedonisë, që të çelnin negociatat, e madje kryeministri Conte e ka cilësuar si një gabim historik vendimin e Këshillit të Evropës.
Kryeministri i Italisë, Conte e vizitoi Shqipërinë pak ditë para se të mblidhej Këshilli i Evropës, ku shprehu mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE.
Vizita e fundit e kryeministrit Rama në Romë ishte në tetor 2017, ku Italia drejtohej nga kryeministri Paolo Gentiloni.