Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar të dielën mbrëma që diagnostikuar me COVID-19. Për këtë ai do të qëndrojë i mbyllur në shtëpi për 14 ditët e ardhshme.
Hoti e njoftoi lajmin përmes një postimi në Facebook, ku tha se nuk kishte shenja të sëmundjes, “përveç një kolli shumë të lehtë”.
“Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia,” – shkroi Kryeministri i Kosovës në mesazhin e tij.
Avdullah Hoti, 44-vjeç, bëhet politikani i tretë me rol udhëheqës në Kosovë që rezulton i infektuar.
Më parë kanë njoftuar se kanë dalë pozitivë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Pas 3 javësh me infeksion, Mustafa u deklarua i shëruar të shtunën.
Situata me COVID-19 mbetet alarmante në Kosovë çka detyroi javën e shkuar qeverinë që të miratonte 28 masa të reja kundër COVID-19.
Të dielën autoritetet raportuan 13 viktima. Vetëm 2 javët e fundit kanë humbur jetën rreth 70 persona, ndërsa bilanci total bën fjalë për rreth 8,800 raste, prej së cilave 4,800 janë shëruar, 3,700 mbeten ende mbartës të virusit, ndërsa 249 kanë humbur jetën.
Vdekshmëria prej COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 140 vdekje për çdo 1 milionë banorë – dyfishi i vdekshmërisë që ka raportuar deri më sot Shqipëria.