Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se zgjidhja që kishte Edi Rama për Shkodrën ishte vendosja e një kryebashkiaku të krimit, një trafikant droge. Sipas Bashës, ai kërkoi t’u vinte në krye shkodranëve një 6 përqindësh, kryebashkiak të pakicës.
Sipas kreut të opozitës, ka një përpjekje të shfrenuar për ta shitur Valdrin Pjetrin. Sipas tij, Rama i pari e shiti menjëherë dhe sot ka lëshuar mercenarët në media që ta sulmojnë, pikërisht ata që i bënë propagandë me muaj , ata që i hynë me dhunë Shkodrës për t’i imponuar Valdrin Pjetrin, dhe sot, befas, kanë zbuluar se Valdrini nuk qenka më i denjë për Shkodrën.
Basha nënvizoi se e gjithë propaganda e Edi Ramës po përpiqet ta trajtojë këtë si një problem individual, si mungesë inteligjence e një njeriu që deshi t’ia hidhte Ramës dhe popullit, ndërsa në fakt i padenjë për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë është Edi Rama, i cili po përpiqet t’ia hedhë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.
“Valdrinin e çoi në Shkodër Edi Rama, duke e ditur se kush ishte, si dhe vëllai i tij, duke inaugurar hotelin e drogës, me qëllimin që ai të garantonte trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore në rrugën e Ballkanit e cila kalon përmes Shkodrës.
Për Valdrinin, Edi Rama hyri në Shkodër i armatosur me forca speciale. Për Valdrinin, Edi Rama ishte i gatshëm të fuste Shkdorën në përplasje civile Për Valdrinin, Edi Rama e provokoi Shkodrën me një 2 prill të dytë.”tha Basha ndër të tjera.
Sipas kryeopozitarit, Edi Rama e dinte shumë mirë kush ishte Valdrini, por atij i duhej pikërisht Valdrini në Shkodër, siç e tha pak ditë më parë si kryetar i bashkise dhe si drejtues politik në Shkodër.