Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të pezullojë për 1-vit prokurorin Elvin Gokaj dhe urdhëroi ndjekjen prej tij të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës-njëra nga masat disiplinore që aplikohet për herë të parë nga institucionet e vetingut. Pas problemeve të konstatuara me profesionalizmin, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të pezullojë nga detyra kreun e Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj dhe urdhëroi ndjekjen prej tij të trajnimit 1-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës. Pezullimi për një vit, shoqëruar me edukimin e detyrueshëm është një ndër masat disiplinore të parashikuara në Kushtetutë për mangësitë profesionale, megjithatë ajo aplikohet për herë të parë nga KPK.

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2000 ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka kryer detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Gokaj është promovuar në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës në vitin 2014 dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Procesi i vetingut për prokurorin Elvin Gokaj u krye nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Pamela Qirkon. Gjatë seancës dëgjimore, KPK konstatoi probleme në shumicën e dosjeve të hetuara nga subjekti dhe që u bënë pjesë e rivlerësimit. Sipas relatores Bungo, në 3 raste “duket se subjekti s’ka analizuar si duhet masën e dënimit; në dy rase s’ka analizë të veprës penale; në 1 rast në cilësinë e drejtuesit s’ka dhënë argumentim për zëvendësimin e prokurorit të një çështjeje dhe në një rast duket se ka shkelur të drejtat e të pandehurit duke zëvendësuar avokatin e zgjedhur prej tij me një avokat kryesisht”. KPK konstatoi gjithashtu si problem mungesën e pasqyrimit të kontaktit të tij me një shtetas me inicialet E.N, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve penale. Prokurori Elvin Gokaj i kundërshtoi denoncimet si të pavërteta dhe që kishin për synim diskretitimin e tij, ndërsa lidhur me marrëdhënien me shtetasin E.N deklaroi se nuk ishte në dijeni se ndaj tij kishin nisur hetime.