Një i dënuar në burgun e Korçës u konstatua se kishte futur 22 doza narkotike brenda ambienteve ku vuante dënimin. Ai u zbulua pas kryerjes së ekogarfisë, e cila verifikoi se i dënuari me iniciale B.L kishte gëlltitur në stomakun e tij plot 22 doza, sasi të cilën kishte futur në qese plastike teksa po kthehej nga leja shpërblyese.
Një tjetër rast është goditur edhe në burgun e Peqinit, ku të dënuarit kishin fshehur 4 telefona celularë në pajisjet elektroshtëpiake.
Njoftimi i policisë së shtetit:
“Kapen 22 doza narkotike të gëlltitura dhe 4 aparate celular të fshehura në pajisjet elektroshtëpiake .Në kuadër të rritjes së kontrolleve e sigurisë në sistemin e burgjeve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e SHKBB-së, u konstatua se në datë 18.05.2019 në IEVP Korçë, i dënuari B. L, i sapo kthyer nga leja shpërblyese kishte transportuar 22 doza narkotike, në qese plastike, duke i gëlltitur.
Pasi u krye ekografia u konstatua se në stomak ka edhe doza të tjera.
Veç masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e burgut, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Policia e Shtetit, po kryejnë veprimet proceduriale dhe hetimore për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodi Penal dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Në po këtë datë, në vijim të kontrolleve në sistemin penitenciar nga ana e Policisë së Burgjeve, në IEVP Peqin, u krye kontroll në disa qeli në sektorin e sigurisë së lartë dhe u gjetën 4 aparate celular të fshehura në pajisjet elektroshtëpiake të të dënuarve D. H dhe E. H.
Pas masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e IEVP-së, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje po kryen veprimet e para proceduriale dhe hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal”-njofton policia.