Tiranë, 24 Mars – Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mbeten në fuqi të njëjtat masa për kufizimin e përhapjes së COVID19 edhe për dy javët e ardhshme.
“Pavarësisht uljes së indikatorëve, ato përsëri mbeten në nivelin që të sugjerojnë që situata vazhdon të jetë një situatë delikate dhe jo një situatë me të cilën duhet të jemi të kënaqur. Prandaj për këtë arsye, Komiteti ka vendosur që masat që kanë qenë deri tani, kanë qenë të efektshme dhe ato të mbeten në të njëjtin nivel edhe për dy javë të tjera”, tha drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli.
Drejtoresha e ISHP, prof. Albana Fico, ka bërë një pasqyrim të situatës epidemiologjike në vendin tonë në dy javët e fundit.
“Ne monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme situatën, incidenca dy-javore për periudhën 10-23 mars, ka një zbritje nga 418 në 268 për 100 mijë banorë. Pozitiviteti i mostrës ka rënë, mesatarja ditore e rasteve pozitive është ulur nga 654 në 532, edhe nurmi total i rasteve aktive ka pësuar ulje, nga 33,553 në 33,194. Bashkitë e prekura deri në datën 22 mars, duke krahasuar me periudhën pararendëse kanë rënë nga 37 në 34, raporti meshkuj-femra mbetet 52 me 48%. Numri mesatar i të shtruarve në spital ka rënë 394 nga 466”, tha Fico.
Drejtori i Urgjencës Mjekësore Kombëtare, dr. Skënder Brataj tha se ka një ulje të numrit të thirrjeve drejt 127.
“Ka pasur një ulje të numrit të thirrjeve nga data 5 mars, ka qenë drejt uljes deri para dy ditësh, ndërsa aktualisht kemi një rritje të këtyre numrave. Edhe numri i misioneve është në rënie. Përsa i përket periudhës dy-javore të fundit, jemi deri në 140 qytetet dhe fshatra që ne kemi trajtuar pacientë të konfirmuar me covid dhe janë trajtuar në banesë”, tha Brataj.
Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri thirrje për respektimin e masave antiCOVID, sidomos për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore.
“Vendi po hyn në fushatën zgjedhore. Eksperienca e vendeve të cilat kanë kryer proces zgjedhor në pandemi ka treguar se në zbatim të respektimit të masave të marra, nuk ka pasur shtim të numrit të infeksioneve. Prandaj i ftojmë qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet, siç është vendosja e maskave në ambientet ku ato janë të rekomanduara, respektimi i distancimit fizik, ndalimi i grumbullimeve për çfarëdo lloj arsye, në mënyrë që së bashku me intensifikimin në vijimësi të vaksinimit, të vazhdojmë të kemi një ulje numrash dhe indikatorësh që të na sugjerojnë edhe një lirim të masave”, tha Rakacolli.
Masat që mbeten në fuqi për dy javët në vazhdim:
Do të vazhdojë të mbetet kufizimi I lëvizjes nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ku do të lëvizet vetëm për emergjenca shëndetësore ose për emergjenca pune.
Baret dhe restorantet do të vazhdojnë të punojnë deri në orën 20:00 (përveç shërbimit delivery).
Shkollat do të vazhdojnë të mbeten online.
Fluturimet me Britaninë e Madhe edhe për këtë periudhë dyjavore do të mbeten të pezulluara.
Vazhdon të mbetet në fuqi edhe për dy javë ndalimi i grumbullimeve me më shumë sesa 10 vetë.