Zjarret nga pakujdesia në zona të banuara janë bërë të shpeshta javët e fundit në Qarkun Dibër, duke vënë në rrezik jetën e banorëve.

Një rast i tillë u shënua këtë të Martë në fshatin Fullqet të Bashkisë Klos. Një zjarr i rënë në një parcelë me barë të thatë për pak rrezikoi të shkonte tek disa banesa të fshatit.

Ndërhyrja e menjëhershme e banorëve për shuarjen e flakëve e ka bërë të pamundur neutralizimin e zjarrit për shkak të erës së fortë.

Menjëherë aty ka shkuar mjeti zjarrfikës i Bashkisë Klos bashkë me ekipin të cilët fillimisht kanë neutralizuar përhapjen e zjarrit e më pas kanë fikur mullarët e barit që ndodheshin aty.

Për fat të mirë nuk ka patur të lënduar në njerëz, ndërsa zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e kalimtarëve që mund të kenë hedhur aty ndonjë cigare të ndezur.

Drejtues të Bashkisë Klos ju bëjnë apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve dhe të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve si në zonat e banuara, ashtu edhe në pyje, pasi kjo mund të shkaktojë jo vetëm dëm ekonomik, por edhe në njerëz.