Çmimi i karburanteve e kryesisht i naftës po vijon të rritet. Pas një periudhe të shkurtër që nuk pati lëvizje, ditët e fundit vihet re një rritje me 8 deri në 10 lekë për litër, duke bërë që çmimi t’i afrohet 200 lekë për litër. Por ndonëse shqetësimi duket se është vetëm për ata që kanë mjete apo përdorin mjete, një tjetër kategori që preket është edhe bujqësia. Për banorët e luginës së Matit, rritja e çmimit të naftës do të thotë rritje të sipërfaqes së tokës e papunueshme. Gjok Menga shprehet se sikur të mos mjaftonte mungesa e rinisë për tu marrë me tokën, por edhe rritja e çmimit të naftës. Sipas tij, këtë vit pritet që sipërfaqja e tokës djerr do të jetë më e madhe se ajo e vitit të kaluar, pasi rritja e karburantit ndikon direkt në rritjen e kostos së proceseve të punës.

Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka bërë të ditur ende financim pë rata që duan të kultivojnë tokën e tyre, duke i mbështetur me skemën e naftës falas. Nëse ky process do të ndërpritet këtë vit, atëherë shumë pak mund të guxojnë të mbjellin tokat në këtë pranverë që po vjen.