Një predhë luftarake e pa shpërthyer është zbuluar të dielën e 3 dhjetorit në qytetin e Klosit. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, teksa disa punëtorë po gërmonin për hapjen e një themeli për ndërtimin e një muri pranë një banese. Predha luftarake është konstatuar pasi është zbuluar nga dheu dhe nga verifikimet paraprake dyshohet të jetë e pashpërthyer pasi ka ende djegoren në të. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka siguruar zonën në mënyrë që të mos preket predha luftarake. Dyshimet e para janë që predha të jetë aty që prej vitit 1997, kur një nga tunelet që mbante armatime luftarake në vendin e quajtur “Ish pazari i vjetër”, shpërtheu. Gjatë shpërthimit të municionit luftarak në atë kohë, shumë predha u zhvendosën në zonën përrreth, që përfshin edhe qytetin e Klosit, pasi ka një istance të afërt me të. Banorët kërkojnë që zona e Klosit të kontrollohet nga ekspertët, pasi mund të ketë edhe predha të tjera.

  Ndërkohë, pasditen e djeshme kanë mbërritur forcat xheniere, të cilat kanë larguar predhën luftarake të konstatuar nga punëtorët në qytetin e Klosit. Një muaj më parë, municione luftarake të pashpërthyera u pikasën edhe pranë ish-depove të armatimit në vendin e quajtur “Pylli i Kadiut”, në fshatin Komsi të bashkisë Mat.