Prej 10 vitesh, Xhabir Kurti, nga fshati Fullqet i bashkisë Klos, merret me kultivimin e perimeve të shumëllojshme në sera. Gjatë intervistës që i morëm Xhabiri konkludon se edhe në vendin tënd mund të punohet e jetohet, pa qenë nevoja të emigrosh. Madje prodhimet në sera këtë vit i kanë ardhur të mbara, kryesisht kastraveci, me të cilin ka disa javë që ka dalë në treg. Prodhimet janë tërësisht bio dhe sipas fermerit Kurti nuk është përdorur në kultivimin e tyre asnjë lloj pesticidi. Krahas serave fermeri Kurti merret edhe me punë të tjera në bujqësi, kryesisht në përdorimin e mjeteve agregate të punimit të tokave bujqësore.
Historia e 10-vjeçare e fermerit Xhabir Kurtit nuk është thjesht një burim të ardhurash për të, por edhe një frymëzim për të rinjtë që mund ta shohin tokën e tyre si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen. Në vend të emigrimit, ata mund të ndjekin shembullin e fermerit Kurti dhe të besojnë se me punë të ndershme, edhe në Shqipëri mund të krijohet vlerë dhe prosperitet.