Mungesa e një ure për kalimin e automjeteve i detyron banorët e lagjes “Meta” në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit të transportojnë në krah çdo material që ju nevojitet për shtëpitë e tyre. Vebi Meta, është detyruar që thesin me misër ta mbajë në krah nga rruga e Arbrit e deri tek shtëpia e tij. Meta thotë se sidomos gjatë stinës së dimrit, është e pamundur që automjetet të kalojnë zallin. Ai shton se kur është ndërtuar rruga e Arbrit banorëve ju është premtuar ndërtimi i një ure tip bel në mënyrë që të kalojnë automjetet nga njëra anë e zallit në tjetrën, por një gjë e tillë nuk u realizua edhe pse kanë kaluar kaq vite. Vebi Meta shprehet se investimi në rrugën e Arbrit nuk është bërë i studiuar pasi ka penalizuar shumë banorë të kësaj zone.
Nga ana tjetër, Vebi Meta, banor i lagjes “Meta” në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, ju bën apel institucioneve që të zgjidhin problemin e që kanë, pasi janë shumë familje që kanë mbetur të izoluar për mungesë të një ure.