Ndërkohë që vendi është përfshirë nga vala e të nxehtit afrikan, fshati Fshat në Bashkinë e Klosit vuan prej 30 vitesh për ujë të pijshëm. Kryetari i Fshatit, Osman Xhaferri, bëri prezente situatën e rënduar të banorëve të këtij fshati, për të siguruar me shumë mundim ujë të pijshëm, nga burime natyrore të pacertifikuara për nga ana higjeno-sanitare. Madje Xhaferri akuzon drejtpërsëdrejti përfaqësuesit e zgjedhur përgjatë këtyre 30 viteve në pushtetin vendor, apo si deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, që ndryshe nga premtimet elektorale, nuk kanë bërë asgjë për ndërtimin e rrjetit të ujit të pijshëm për fshatin Fshat. Xhaferri tha se edhe një projekt i nisur vite më parë për ndërtimin e një ujësjellësi që do ta siguronte ujin e pijshëm nga Guri i Bardhë, u la në mes, ndonëse depoja u ndërtua, por tubacionet u vodhën dhe askush nuk jep llogari për këtë.
SINKRON: OSMAN XHAFERRI – KRYETAR I FSHATIT FSHAT, BASHKIA KLOS
Të kontaktuar nga “Mat Televizion” për këtë shqetësim, drejtues të Bashkisë Klos u shprehën se fshati Fshat dhe disa fshatra të tjerë përreth tij janë pjesë e një projekti për furnizimin me ujë të pijshëm, dhe se pushteti vendor po punon fort për implementimin e tij.