Është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e fundit për këtë vit kalendarik të Këshillit të Bashkisë Mat. Në këtë mbledhje u diskutuan dhe u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, ku ndër më kryesoret ishin struktura e punonjësve dhe buxheti për vitin e ardhshëm.
Mbledhja nisi me pikën e parë të rendit të ditës atë të fondit 6% të ndihmës ekonomike për muajin Nëntor. Të gjithë këshilltarët e votuan unanimisht projekt-vendimin. Në pikën e dytë këshilltarët diskutuan dhe miratuan një shtesë në buxhetin e këtij viti. Ndërsa pika e tretë kishte të bënte me numrin e përgjithshëm të punonjësve të bashkisë Mat. Sipas Zyrës së Njësisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore numri i përgjithshëm i punonjësve të bashkisë Mat sëbashku me funksionet e deleguara do të jetë 519. Edhe kjo pikë mori 14 votat e anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje. Ndërkohë, pika pasardhëse kishte të bënte me nivelin e pagave. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar edhe rritja me 7% e pagave të të gjitha kategorive të punonjësve. Pas diskutimeve, këshilltarët e miratuan me të gjitha votat. Në pikën pasardhëse mbi buxhetin e vitit 2023, referoi Drejtoria e Financës. Për vitin e ardhshëm është parashikuar që të ardhura të planifikuara të jenë 127,753,000 lekë, granti i qeverisë 224,224,000 lekë dhe transferta e pakushtëzuar 168,222,000 lekë, pra në total 520,197,000 lekë. Pasi u dhznë detaje në lidhje me ndarjen e buxhetit për të gjithë sektorët, këshilli i dha miratim unanim. Po në këtë mbledhje u miratua kalendari buxhetor i Projekt-Buexhetit Afatmesëm 2024-2026. Këshilli diskutoi dhe miratoi më pas pikat: për dhënien e bursave për nxënësit e shkollave profesionale të Arsimit Parauniversitar për vitin shkollor 2022 – 2023, rishqyrtim i bursave për nxënësit që janë në konvikt për vitin shkollor 2022-2023, shpalljen të pastrehë të 18 familjeve në bashkinë Mat dhe dhënie titujsh qytetarë nderi.