Për zëvendësuesin e ish kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla do të vendosë këshilli bashkiak. Pas shumë konsultimeve juridike në lidhje me zbatimin e nenit 61 të ligjit 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, është vendosur që të zbatohet pika 6 e këtij neni që thotë se duhet të mblidhet këshilli dhe të zgjedhë një nga radhët e tij për të drejtuar bashkinë deri në mandatimin e kryebashkiakut të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 14m Majit. Mungesa e titullarit të bashkisë në këto 15 ditë, ka krijuar probleme në firmosjen e bordorove për ndihmën ekonomike dhe pensionet e aftësisë së kufizuar. Megjithatë, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se kjo situatë është zgjidhur dhe se me delegim të firmës, do të jetë zëvendëskryetari që do të firmosë deri në zgjedhjen e kryetarit nga Këshilli Bashkiak.

Në ditët në vijim pritet që të mblidhet këshilli i bashkisë së Bulqizës dhe të zgjedhë nga radhët e tij pasuesin e Lefter Allës deri në mandatimin e kryebashkiakut të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 14 Majit.

Dritan Kurti