Këshilli bashkiak Bulqizë ka zhvilluar këtë të enjte mbledhjen e radhës për muajin shkurt, ku në rendin e ditës ishin vetëm katër pika, dy prej të cilave për parqe fotovoltaike.
Këshilli e nisi fillimisht mbledhjen me kërkesat e qytetarëve të cilat u shtruan paraprakisht për anëtarët e pranishëm ku u analizuan dhe u sugjeruan për shqyrtim. Më pas, Këshilli miratoi me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm pikën e dytë në rendin e ditës atë të ndarjes së fondit 6% të ndihmës ekonomike për 165 familje, për muajin janar.
Në pikën e tretë këshilltarët bulqizakë u ndaluan mbi kërkesën për dhënien në përdorim fondi pyjor e kullosor për qëllim “Ndërtim parku fotovoltaik “Dani”, shoqërisë “Dani Energy Sh.p.k”. Pasi u njohën me raportin e drejtorisë përkatëse, këshilltarët vendosën të miratojnë projekt-vendimin për dhënien në përdorim të sipërfaqes së kërkuar nga subjekti në fjalë.
Edhe pika e katërt e rendit të ditës kishte të bënte me dhënien në përdorim të fondit pyjor e kullosor për ndërtim parku fotovoltaik një tjetër shoqërie. Këshilltarët, pasi dëgjuan referentët e këtij projekti energjitik vendosën t’i japin sipërfaqen e mjedisit të kërkuar shoqërisë “Solar Park Gjoricë” për ndërtimin e një tjetër parku fotovoltaik në Bulqizë.