Mjaft nga ata ish-minatorë që kanë punuar nëntokë në zonën e Bulqizës por jo vetëm, nuk janë të kënaqur me pensionin që marrin. Një rast i tillë është edhe ai i Fatmir Gjokës nga Fushë Bulqiza. Fatmiri ka punuar plot 25 vite nëntokë por pensioni që merr nuk i mjafton as për shpenzimet më jetike. 70-vjeçari tregon se për një ndërhyrje kirurgjikale që ka bërë në sy i ka marrë lekët borxh pasi nuk mund t’a përballonte me pensionin që merr. Fatmir Gjoka thotë se vitet nën tokë kanë qenë më të vështirat e jetës së tij. Veç lodhjes nga puna e rëndë të cilën bënte tek kollonat e minierës, fatkeqësisht atij i është dashur të nxjerrë shumë trupa të pajetë në sipërfaqe.
Si të gjithë ish-minatorët edhe 70-vjeçari Fatmir Gjoka thotë se është mashtruar nga politika në këto vite tranzicion, pasi asnjë qeveri nuk e mbajti premtimin për të miratuar statusin e minatorit. Gjoka shton se faj shumë të madh kanë edhe sindikatat të cilat sipas tij janë bërë palë me kompanitë mineral-nxjerrëse dhe vetë shtetin.
Minatorët pa mbështetjen e sindikatave ndjehen të pafuqishëm për t’i bërë presion shtetit që t’u miratojë statusin e minatorit i cili u garanton atyre pensione shumë më të larta se ato aktualet.